Search This Blog

Saturday, July 24, 2010

Jetëshkrimet e tre figurave politike dibrane e kombëtare


Shefki Shatku, lindi në Dibër te Madhe më 19.05.1896 në një familje patriotike e atdhetare. Gjatë kësaj kohe përfundoi shkollën pesëvjecare në Dibër. Pas emigracionit të madh të dibranëve si pasojë e dhunës Serbe të vitit 1912 ai së bashku me familjen e tij transferohet në Turqi. Atje ai perfundon gjimnazin ushtarak “ Kuleli “ në Stamboll. Pas përfundimit të shkollës së mesme, kryen Akademinë Ushtarake në Stamboll duke u diplomuar në vitin 1915. Emërohet si instruktor i mësimit “armë e qitje” në shkollën e oficerave në Stamboll. Në vitin 1916 mori pjesë në luftrat e Siris, duke u bërë dhe komandant i kompanisë sulmuese. Për shërbimet e shquara u gradua toger. Mori pjesë dhe në te tjera luftime dhe u dekorua tri herë për trimërit e treguara dhe në fund u emërua “ Oficer Ordinanc “i komandantit të qëndrës në Stamboll. Në vitin 1920 vjen në Shqipëri për të kontribuar për ruajtjen e trojeve Shqiptare nga pushtimi Serb. Hyri në shërbim me gradën toger. Merr pjesë në luftën e Mirditës, më 13 tetor 1921 ku Shefkiu plagoset nga forcat Serbe. Për merita të veçanta në këtë lëvizje gradohet kapiten i kl. II më 1922. Emërohet në periudhën e Republikës Shqiptare si kryetar i gjyqit politik( 1925-1927). Në vitin 1927 gradohet major dhe vazhdoi një kurs aplikimi në shkollën e lartë të luftës në Torino. Kur u kthye në atdhe mori detyrën e komandantit të shkollës së A’spirantavet në Tiranë. Gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare nga viti 1931 deri në 7 prill 1939 Shefki Shatku u emërua komandant i përgjithshëm i armatës së gjandarmërisë Shqiptare. I shquar për aktivitetet e tij dhe aftësitë organizative, më 28.XI.1938 mori gradën N/kolonel, kurse në vitin 1933 u dekorua prej mbretit Zog I me dekoraten “Komandor i Urdhnit Skënderbeg”. Në vitin 1937 u dekorua prej mbretit Viktor Emanuelit të II T ‘Italisë me medaljen Oficer i Madh i Kurorës së Italisë. Ishte një ndër anëtarët e grupit nismëtar për kthimin e eshtrave të poetit tonë të madh “ Naim Frashërit “ në Shqipëri në vitin 1937 së bashku me Ministrin e Arsimit z.Faik Shatku dhe intelektual të tjerë. Ndërroi jetë në Stamboll ku u përcoll per në banesën e fundit me nderime nga bashkëkombasit e tij Shqiptar.
Faik Shatku
( 12.06.1889 - 15.04.1946


U lind më 12.06.1889 në Dibër të Madhe, në një familje patriotike e atdhetare. Në vendlindje përfundoi shkollën fillore. Kur u bë emigracioni i popullsisë dibrane në vitin 1912, familja e tij u vendos në Stamboll, gjatë kësaj kohe Faiku vazhdonte studimet në shkollën e mesme tregëtare Franceze në Selanik. Pas përfundimit të shkollës tregëtare në Selanik, kthehet pranë familjes së tij në Stamboll për të vazhduar studimet e larta në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit të Stambollit. Pranë këtij Fakulteti u diplomua dhe mbrojti doktoraturen. Ne Stamboll, ai ushtroi detyrën e avokatit publik. Në fillim të vitit 1924, njëri ndërmjet Shqiptarëve të arsimuar, largohet familjarisht nga Turqia për tu vendosur përfundimisht në Tiranë. Në dt. 14.05.1924 u emërua anëtar i gjykatës së shkallës së parë në qytetin e Elbasanit, e pastaj në Korcë. Në 11.02.1925 u emërua prokuror i gjykatës së shkallës së parë në Tiranë. Po ashtu ishte gjyqtar, prokuror dhe kryeprokuror në Tiranë. Më 23.03.1925 u emerua sekretar i përgjithshëm i ministrit të drejtësisë, detyrë të cilën e mbajti deri në vitin 1929. Po në këtë vit emërohet anëtar i këshillit të shtetit dhe më pas zëvëndëskryetar i këshillit të shtetit. Po ashtu ishte kryeprokuror i përgjithshëm i shtetit dhe kryeprokuror i përgjithshëm i gjyqit ushtarak të naltë deri në vitin 1936 kur hodhi kandidaturën për deputet.. Në zgjedhjet për Asamblenë Parlamentare të vitit 1936 u zgjodh deputet i prefekturës së Elbasanit, së bashku me intelektualë të tjerë dibranë si: Abdurahman Dibra, Fiqiri Rusi, Hafiz Xhemali, Jashar Erebara këta në prefekturën e Dibrës, si dhe Izet Shatku (Dibra), në prefekturën e Durrës-Tiranë. Më 09.11.1936 u emërua Minister i Arsimit( Edukacionit ) post të cilën e mbajti deri në vitin 1938. Gjatë kësaj periudhe Faik Shatku dha kontribut të shquar në zhvillimin e arsimit kombëtar. Ai rekrutoi nënpunesa të arsimuar në vëndet më perëndimore, si dhe reformoi sistemin pedagogjik duke e kasifikuar atë në shkolla foshnjore, fillore, dhe të mesme. Ai i dha rëndesi eleminimit të analfabetizmit në përgjithësi, si dhe emancipimit të vajzave në shoqeri. Ngjarje e rëndësishme për kombin Shqiptar ishte dhe kthimi në atdhe i eshtrave te poetit të madh Shqiptar Naim Frasherit në vitin 1937, me rastin e 37 vjetorit të vdekjes së tij. Ky veprim u propozua nga ministri i Arsimit z.Faik Shatku. Ai kryesonte komisionin e kthimit të eshtrave të poetit tonë kombëtarë së bashku me komandantin e përgjithshëm të xhandarmërisë n/kolonel Shefki Shatku. Më 01.06.1938 me ndryshimet që u bënë në qeverinë e kryeministrit Koço Kotta, Faik Shatku u mandatua si Ministër i Drejtësisë, detyrë të cilën e mbajti deri në 07.04.1939. Gjatë kësaj periudhe ai nisi reformën për depenalizimin e disa veprave penale, shfuqizoi disa ligje arkaike si dhe riformatoi legjislacionin procedurial penal dhe civil. Me okupimin e Shqipërisë, më 7 prill 1939 nga Italia fashiste largohet së bashku me mbretin Zog I dhe me suitët shoqëruese për në Turqi. Në muajin mars të 1940 kthehet në atdhe, por fashistët e internojnë në Itali, pa asnjë motivacion. Në fillim e mbajnë në burgun e Barit, e pastaj në atë të Bergamos. Në maj të vitit 1941 lirohet nga burgu kthehet në atdhe. Pas kthimit, ai emërohet kryetar i komisionit të kontrollit pranë Ministrisë së Financave. Ndërroi jetë në 15.04.1946 në qytetin e Tiranë.

Izet Shatku ( Dibra )
( 19.05.1877- 11.02.1964 )

Izet Shatku, u lind në Dibër të Madhe në 19.05.1877 në një familje patriotike e atdhetare. Përfundoi shkollën fillore në vendlindje, kurse gjimnazin në Manastir (sot qyteti Bitola). Gjatë periudhës së plaçkitjes së Dibrës nga pushtuesit Serb largohet me familjen e tij për në Turqi. Përfundoi kursin e studimeve në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetit e Stambollit. Gjatë kesaj periudhe shërbeu si n/prefekt e prefekt në disa krahina të ish-Perandorise Turke si në: Soroviç, Korana, Allasonjë, Kjallar, Kërçove dhe Çall. Pas vitit 1920 kthehet me familjen e tij në Shqipëri për të kontribuar në jetën politike e sociale të vëndit. Në vitin 1922 ishte anëtar i gjykatës ushtarake që dënoi kryengritësit e lëvizjes së marsit të atij viti. Nga kjo cilësi u gradua nënprefekt, nga mars 1922 deri në qershor 1922 në Elbasan. Me konstituimin e parlamentit Shqiptar zgjidhet deputet i prefekturës së Dibrës nga viti 1923-1925. Emërohet prefekt i Elbasanit nga viti 1922-1923 dhe 1925-1926. Më pas prefekt i Tiranës nga viti 1927-1928. Ndërsa nga viti 1928-1929, prefekt i Beratit, e nga viti 1929-1930, prefekt në Shkodër. Pas kësaj periudhe emërohet Inspektor i Përgjithshëm i Reformës Agrare. Me 26 korrik 1926 nga prefekt i Elbasanit emërohet Inspektor i Përgjithshëm i Administratës. Kryetar i bashkisë së qytetit të Shkodrës 1928-1930. Shpallet qytetar nderi i qytetit të Shkodrës më 26 qershor 1930. Gjatë periudhës së Mbretërisë Shqiptare, nga 16 marsi 1930 deri në 7 dhjetor 1932 ishte Ministër i punëve botore ( Punëve publike dhe i ndërtimit ) në qeverinë e drejtuar nga kryeministri Pandeli Evangjeli. Në legjislaturën e dytë konstituitive (1932) zgjidhet deputet në prefekturën e Elbasanit. Kurse në 3 gusht të vitit 1937 zgjidhet deputet i prefekturës së Durrësi-Tiranë në vënd të Izedin Beshirit. Periudhën e rregjimit komunist Izet Shatku e përballoi mjaft rënd. Ai dhe familja e tij u internua në qytetin e Shkodrës dhe pasuria e tij u grabit në mënyrën më çnjerzore. U konsiderua si bashkëpuntor i qeverisë së Ahmet Zogut, dhe për këtë qëllim u përjashtua nga jeta sociale dhe politike e vëndit. Ndërroi jetë në Shkodër më 11 shkurt 1964. Trupi i tij u përcoll për në banesën e fundit me nderime e respekte nga qytetarët shkodranë e dibranë.

Lavdi veprës së tyre dhe shpirti le t’u prehet plot dritë!
SQARIM:-Katalizatori kryesor per arritjen e ketij studimi ( materialet mbi familjen Shatku ) eshte bere gjyshja ime 91 vjecare, Myzejen Shatku. Ajo me ka treguar per keta figura, kurse une kam hulumtuar me tej ne Arkivin Qendror te Shtetit Shqiptar, dhe ne BIblioteken Kombetare ne Tirane. Eshte interesan fakti se Zoti i ka dhane nje memorje mjaft te forte sa mbane mend gjithshka rreth Dibres si: Familjet dibrane, lagjet cezmat, dhe xhamite.
P.sh. familje dibrane; Jegenet, Kabullaret, Kodra, Begleret, Agollet, Pustinat, Spahiu, Strazimiret, Dacollaret, Pashollet, Ballcishtet, Zllatku etj, etj.
Ndersa si cezma me ka treguar se Dibra ka 6 cezma:
1. Cezma e Budulecit,
2. Cezma e Shavecit,
3. ...........e Demces,
4.............e Bales,
5.............e Tigvarces,
6.Cezma e Dorme halle.
Shpresojme qe dashurine per vendin ta ruajme brez pas brezi.
DUKE JU URUAR DITE TE MBARA - Saimir Shatku

No comments:

Post a Comment