Search This Blog

Saturday, July 24, 2010

Me fole dibranisht nga -Agron Tufa


Biografi

Agron Tufa lindi në 1 prill 1967 në Dibër. Studioi në Fakultetin Filologjik të Tiranës e më pas në Institutin Gorki në Moskë (1994 -1999). Pas diplomimit atje, ndoqi edhe programin e masterit për filozofi arti në Institutin e Kulturave Europiane IEK (1999 – 2001). Është profesor i Letërsisë së huaj të shekullit XX në Fakultetin Filologjik të Tiranës. Mban titullin doktor i Shkencave Filologjike. Krijimtaria e tij, është nderuar me çmime të rëndësishme kombëtare e ndërkombëtare dhe është përkthyer në disa gjuhë të botës.

Botime të autorit

“Aty te portat Skee”, poezi, Onufri, 1996. “Dueli”, roman, “Ora”, 2002, (ribotim “Fjala”, 2007). “Rrethinat e Atlantidës”, poezi, Aleph 2002. “Fabula Rasa”, roman, Ideart 2004. “Janusi qindfytyrësh”, ese, Pro-Kultura, Tetovë, 2004.
“La Prueba della tierra”, poezi, bashkautor, Maremoto, Spanjë 2005. “Mërkuna e Zezë”, roman, Toena 2005 (ribotim, Toena 2009). “Avangardë engjëjsh”, poezi, Ideart 2005. “Fryma mbi ujëra”, poezi, “Fjala” 2007. “Nove poesie” – “La stanza del poeta”, Formia, Itali 2008. “Dibra me sytë e të huajve”, MB botime, Tiranë 2008.
“Letërsia dhe procesi letrar në shekullin XX”, vol I, II, SHBLU, 2008-’09. “Thembra e Akcilit”, miniatura, Zambak, Tiranë 2009. “Tenxherja”, roman, Toena, Tiranë 2009.

Më folë dibranisht nuk don të thotë medoemos të flasësh në dialektin e Dibrës (nga është vetë autori); dibranishtja si gojëfolje e nëndialektit gegë, me arealet e saj, sugjeron vetëm efekte ekzotike gjuhësore dhe të tilla i gjen në çdo krahinë shqiptare, sa më në thellësi të shtyhesh. Përfytyroni një nga figurat më qendrore të mitit tonë kombëtar, nipin e Palit, birin e Gjon Kastriotit, Gjergj Kastriot – Skëndërbeun nga Sina-Kastrioti i Dibrës, duke folur dibranishten e shekullit XV... Mjafton kjo për të rrëzuar përceptimet ksenofobike ndaj gojëfoljeve dialektore të botës shqiptare, si paragjykime mendjelehta të lindura shumë vonë, pas ujdisjes së gjuhës standarde.

Me folë dibranisht, unë nënkuptoj një cilësi ligjërimi krejt të veçantë që përbën jo mbështjelljen fonetike të folësit, por, para së gjithash, botën e tij filozofike, estetike dhe psiko-mentale. Këto cilësi të ligjërimit dibran janë vënë në dukje shumë më herët se ky shkrim, nga të huaj dhe shqiptarë, por unë po i kthehem sot këtij vlerësimi për dy arsye, që nuk hyjnë si rëndom në sindromën e krenarisë tyryfile – karakteristikë shumë e përhapur tejkund nëpër arketipin krahinor të shqiptarëve. Arsyeja e parë është fakti që ekzistenca ime, e veprimtarisë time intelektuale e shpirtërore është tërësej e varur nga gjuha, në të gjitha shfaqjet e saj dhe, arsyeja e dytë që ka mahnitur përherë, është lehtësia dhe eleganca në përçimin e mesazhit, sado e acaruar qoftë situata.

Pra, kemi të bëjmë me qasje operative terapeutike ndaj ligjërimit, që me mençuri shkapërcen tensionet kritike duke fashitur patetikën e konfliktit, pa përfunduar situata në tragjedi. Dhe kjo qasje ndaj ligjërimit është, parasëgjithash, arti fluid i zërit të logjikës dhe arsyes, para rrëmbimit zemërak të kokave të nxehta, jo pa doza humori shtendosës. Një mënyrë e tillë, e tërthortë e artikulimit të të vërtetave të mëdha e të vogla, është gjithnjë apel për vetëpërmbajtje, apel për për medituar më gjerë mbi dukurinë, për të mos u yshtyr në veprime të nxituara ku pasojat janë të pakthyeshme. Sepse duke nisur qysh nga forma figurative e kumtimit të mesazhit dhe kohës që i lihet recepientit për “ta tretur”, “zbërthyer” apo “interpretuar”, kalon një kohë, përgjatë së cilës, psikika e njeriut përballet me një punë operacionale logjike e përjetuese, e mjaftueshme për të rishikuar një raport harmonik të marrëdhënieve të njeriut me botën, të marrjes në hesap të argumentit dhe motivit të “tjetrit” me gjithë hapësirën e supozuar të “lirisë së tjetrit”. Sado i padurueshëm qoftë njeriu, ai, tekefundit, nuk është krejt indiferent përballë ndjenjës së drejtësisë, fajësisë, tolerancës, të cilat konstruktojnë së brendshmi thelbin e marrëdhënieve të tij individuale dhe shoqërore përballë të tjerëve. Gjykim shoqëror i sociumit ku jeton idividi është një instancë shumë e përfillshme dhe shpesh shërben si gur themeli për moralin njerëzor të bashkëjetësës dhe shembullit të mirë apo të keq.

Por ku qëndron sekreti i “kuvendimit dibran” dhe çfarë e bën atë të ketë një potencial përtejgjuhësor në funksionin e komunikimit? Mendoj se vetë struktura e ngjizjes, vetë arti i thurjes së mesazhit, vetë intenca që provokon te dëgjuesi një përtypje të ngadaltë dhe një përgjigje jo të shpejtë, i ka të ndërkallura këto “sekrete”. Kuvendimi dibran nuk është formalisht i drejtëpërdrejtë; ai vjen i veshur figurativisht, sidomos kur zotër të tij janë mjeshtra të qëmotit, apo bartës që e kanë trashëguar tradicionalisht. Nga pikëpamja semiotike është një komunikim i referentit përballë recepientit që kanë ekzistojnë në një situatë të njohur, të përbashkët.

Përndryshe anët e komunikimit nuk do të orientoheshin me konvencionet dhe marrëveshja nuk do të realizohej. Simbolika, alegoria dhe analogjia i japin këtij kuvendimi një dimension filozofik, psikologjik, estetik dhe, së mbrami, etik dhe didaktik.Të ushtruarit ndër shekuj, e ka bërë këtë ligjërim një aparaturë të koklavitur e tepër të hollë, ku folësi dhe dëgjuesi përfshihen në një situatë të tendosur vigjilence dhe përfytyrimi në lidhje me kontekstin e kuvendimit.

Pra, puna mendore, e pashkëputur nga etika shoqërore, të dikton një pozicionim të kujdesshëm, çka përcakton një dinamikë të gjallë në evolucion të përhershëm. Modelet e këtij ligjërimi, thamë që janë të lashta e të përpunuara vazhdimisht dhe, në fakt, struktura e tyre e hapur, të lejon si pasurimin, ashtu edhe harrimin. Por ky ligjërim alegorik nuk duron instanca dembele (folësin dhe dëgjuesin/auditorin). Në rast të kundërt mekanizmi i tij të përjashton.

Faktet dhe argumentet në komunikimin e këtij ligjërime nuk thuhen trashë e drejtëpërdrejtë: ato skicojnë me art dhe shije të hollë një situatë të tërthortë, të nginjura me imazhe dhe konvencione alegorike, me qëllim që ndikimi real të receptohet i përkthyer në gjuhën pragmatike të situatës, çka sjell shpesh një ripozicionim ndaj çështjes apo dhe ndryshim të pikëvështrimit. Ky aparat i ndërlikuar dhe tepër efikas në artin e kuvendimit shpërthen në paravoli, skica, analogji duke u ushqyer me hapësira të begata imagjinare, me vizione që rrokin tërësinë e dhe perspektivën e situatës. Për këtë arsye ata që nuk e njohin këtë art apo ata që janë të ngathët e shohin veten të flakur jashtë në mënyrë qesharake. Etika dhe mendjemprehtësia në kuvendimin alegorik dibran operon parashtron jo qitjet me pistoletë nga një distancë e afërt, por goditjet e largëta kilometrike me top. Sa më virtuoz, hermetik apo i maskuar të jetë thelbi i paravolisë alegorike, aq më befasues dhe tronditës është mesazhi në fund, i cili, gjithmonë, synon “çarmatosjen” e kundërshtarit nga “urtësia e keqe”.

Instrumentari i këtij aparati të sofistikuar ka një “shëndet” gjithëherë bashkëkohor, në çdo situatë, mjafton që kuvendimi alegorik të gjejë magun, ustain e tij. Prandaj nuk mund të flitet për “vjetërim” të metodës “dialogjiste” të kuvendimit dibran, sado i supermodernizuar me teknologjinë e informacionit të jetë aktualiteti. Ndoshta ky është një tipar që nuk varet nga gjendja diakronike apo sinkronike e gjuhës, por nga aftësia për t’u përshtatur me shenjat dhe për t’u bërë atyre një shpërndarje e rishpërndarje funksionale. Këtë mendim do ta përforconin materialet e bollshme, nëse do të kundroheshin sipas një linje koherente historike, me ndryshimet shoqërore, kulturore apo politike.

Ja për shembull, një model i fundshekullit të XIX, kur dobësohet roli qëndror i ndikimit dhe vendimeve të “nand maleve” dhe kur përparësinë e përfaqësimit e marrin elitat religjioze, përkatësisht hoxhallarët dhe shehlerët.
Në një mbledhje të krerëve të Nandë Maleve, teqeve dhe Oxhaqeve të Dibrës, para se me fillue kuvendimi, para parisë së tubueme nën një lis të moçëm del një plak, i cili në një dorë mbante një thikë të madhe, ndërsa me dorën tjetër tërhiqte për brirësh një dash të madh leshgjatë.

Pasi e shtrin dashin në rrethin e burrave, plaku çon thikën në gabzherrin e tij dhe, para se ta therrë, bën një ritual paraprak, duke i kënduar dashit një këngë me këto fjalë:

“Dash, dash, o i majri dash!
Pate ni çoban dallash!
M’i ke brinat dymdhet pashë!
M’a ke leshin si mundash!
M’a ke kokën për shehlerë!
M’i ke shpatllat për bejlerë!
M’a ke bishtin për asqerë!
çfarë t’teproje – për ne t’qerë!

Kush e ka parasysh kulturën tradicionale dibrane të ndarjes së nishaneve të berrit, sipas meritave dhe respektit, e kupton farë mirë se simiotika e këtij gjesti, gjoja ritualor, është një alegori e përkryer e shpërndarjes së nishaneve sipas rëndësisë dhe meritave, duke propozuar një hierarki të re në parinë e Dibrës. Sepse që në fillim, plaku, duke iu drejtuar dashit të flisë, qorton çobanin e tij (nënkpto: të kopesë/grigjës; dashi është prijësi i kopesë dhe kopeja përfshin edhe konotacionin simbolik të popullit në kuptimin fetar, ku prijës i grigjës, bari i popullit është prifti apo hoxha/shehu). Plaku e qorton çobanin e kopesë, sepse ai (bariu), nuk i ka pri mirë grigjës (popullit), ngase ka qenë një “çoban dallsh”, i gabuar në rrugën e interesave të grigjës. Mandej, kokën me të cilën ndërohet personi më i rëndësishëm, “kryet e vendit”, ai ia jep shehlerëve, pra bariut të mirë që është udhëheqës shpirtëror i popullit. Apeli alegorik lexohet kështu: situata nuk është më e tillë, që të udhëheqin krerët e maleve, çka çon në radikalizimin e konfliktit, por elita fetare që ruan shëndetin shpirtërore dhe largon popullin nga gjakderdhja. Prandaj dhe bejlerët – “m’i ke shpatullat për bejlerë” - (nënkupto: krerët e maleve dhe kryet e oxhaqeve), kalojnë tanimë në plan të dytë, gjithësesi, të respektuar në hierarki. Konfigurimi i hierarkisë, më poshtë, vijon të jetë i ndjeshëm dhe të tregojë respektin dhe rëndësinë e luftëtarëve, duke iu dhanë atyre një prej tre nishaneve dhe duke përcaktuar rolin e dorës së tretë në hierarkinë shoqërore (“m’a ke bishtin për asqerë”).

Dhe së fundi, pas tre niveleve të hierarkisë, vjen vegjëlia, populli i madh, tashmë i përfaqësuar nga shprehësit e interesave të tyre, i bindur të ndajë hisen e asaj “çfarë të teprojë” nga zotësia dhe puna e elitave të tij. Ndonëse mund të bartë diç të sforcuar, prapëseprapë një analogji të tillë alegorike më pëlqen ta përqas me skemën hierarkike që ndërton filozofi i lashtë grek, Platoni, ne veprën e tij “Republika” kur ndan tre nivelet e shpirtit: shpirti dëshirues, në nivelin e barkut; shpirti guximtar, që synon të luftojë, të zotërojë, të angazhohet për një çështje a për një tjetër, i cili ndodhet në nivelin e diafragmës; shpirti i arsyeshëm, i cili ndodhet në kokë.

Secili nga këto tre nivele është i domosdoshëm, por ato përbëjnë një hierarki. Njëlloj ndodh edhe me qytetarët në qytetin-shtet. Fshatarët dhe artizanët janë në nivelin e dëshirës, luftëtarët, në nivelin e guximit; nëpunësit në nivelin e urtësisë. Edhe tek ndarja që bën plaku dibran, konfigurimi i niveleve përbën një hierarki të qartë, por jo të shpirtit individuar, por të “shpirtit shoqëror”. Kësisoj niveli i dëshirave të vegjëlisë nuk mund të dalë përballë guximit të luftëtarëve, përpara fisnikërisë së krerëve dhe dyerve të mëdha dhe as përpara urtësisë së barinjve shpirtërorë.

Alegoria e kuvendimit dibran është njësoj armë e efektshme edhe në kohët e reja. Le të marrim një shembull në qërshorin e vitit 1991, kur një ish-inxhinjer, politikan i Partisë Socialiste (deri më 10qershor 1991 – ish-PPSH), takohet me zgjedhësit dhe u shpjegon atyre platformën e partisë së tij. Ngrihet një plak i thjeshtë dibran dhe me pyetjen e tij, në dukje krejt larg nga problemi, shkakton këtë situatë:
“Or bir, i drejtohet ai kandidatit për deputet. Ta zëmë se kemi një kriminel që ka vra njerëz – fëmijë e gra, burra e pleq, me një fjalë, një gjakësor i vërtetë. Ky njeri kapet, drejtësia i gjen provat e krimit, i fakton dhe vetë krimineli i pranon krimet, pa u penduar. Mbas dy ditësh lihet gjyqi, caktohet prokurori dhe pritet dënimi.

Desha me e ditë prej tejë, or gjalë, a duhet të dënohet me vdekje ky kriminel? Sigurisht duhet të dënohet me vdekje, i përgjigjet ish-inxhinjeri, kandidat për deputet, dhe shton duke përforcuar: përderisa e ka pranuar krimin, pa reflektuar pendesë. Po mirë, thotë plaku, po nëse gjatë kohës së hetuesisë, ky kriminel, duke shfrytëzuar hapësirat ligjore të të drejtave njerëzore ka aplikuar për ndërrimin e emrit dhe një ditë para gjyqit, atij i vjen pashaporta e re, tashmë me një emër tjetër, a duhet të dënohet ky njeri? Sigurisht duhet të dënohet, i thotë kandidati. Po si mundtë dënohet pra, sepse krimineli kundërshton me të drejtë: ai thotë se drejtësia po gabon, ngase gjithë hetimet, gjithë prova e fajësisë i takon një personi tjetër që quhet Nazif, ndërsa ai tund pashaportën dhe dëshmon para gjyqtarëve se quhet Robert, jo Nazif. Keni ç‘keni me Nazifin, thotë ai, nuk më intereson, shkoni e kapni Nazifin: unë jam një person tjetër, quhem Robert dhe nuk marr përsipër fajet e Nazifit! Kështu që, zotërinj gjyqtarë, ju s’keni të drejtë ta përlyeni emrin e nderuar e të pastër të Robertit me fajet e kriminelit Nazif. Jo, kundërshton kandidati, s’ka rëndësi ndërrimi i emrit, rëndësi ka identititeti i personit që ka kryer krimet, të cilat janë dëshmuar se i ka kryer ai, Roberti, që para një dite quhej Nazif.

Ndërsa loja vazhdonte me këtë kurth dhe lojë spekulative, alegoria ishte më se e qartë dhe, në fakt, të pranishmit po shkuleshin gazit. I vetmi që nuk e kuptonte kurthin ishte deputeti, i cili me zell përpiqej t’i shpjegonte këtij plaku “naiv” procedurën e ndëshkimit të fajtorit real, pavarësisht pehlivanllëqeve të tij me ndërrimin e emrit. Rëndësi ka fakti i padyshimtë që identifikon vrasësin kriminel me viktimat – të tjerat s’kanë rëndësi! – bërtiste hareshëm kandidati, duke e marrë gazin e përgjithshëm si reagim ndaj naivitetit këmbëngulës të plakut. Atëherë ky plak “naiv”, e braktis lojën dhe e formulon ndryshe pyetjen:
“I kujt partie je ti, or gjalë?”
“I Partisë Socialiste”.
“Ti, filani, filani, filani e filani... (plaku numëroi thuajse gjithë kryesinë e partisë), si e kishi emrin e partisë para një jave?”
“Partia e Punës së Shqipërisë”.
“Po ho mor i bekuem, pse na lodh ma teqe... Ky osht aj Nazifi e Roberti qi ta pata llafin, or deshamajr!”.

Ka edhe një rast tjetër, po me situatën politike të zgjedhjeve në vitin 1997. Siç mbahet mend, Partia Demokratike hyri shumë inferiore në zgjedhje, me një bankrot moral e reputacion të dëmtuar, pas trazirave, shkatërrimeve e vrasjeve. Demokratët e degës së Dibrës e kishin shumë vështirë, jo të bënin fushatë, por thjesht të hynin në bisedime me popullin. Kështu u ndodh një grup demokratësh në një fshat në kufi me Lurën. U sorrollatën poshtë e përpjetë katundit, pa vendosur se ku të trokisnin për t’ia nisur punës. Kështu i gjeti në udhëkryqin e katundit një plak vendali. I pa, i erdhi keq për drojën dhe sikletin e tyre dhe i ftoi në shtëpi, ku zunë vend në bahçe. U qiti kafet, cigaret, por përveç mermërimave dhe fajalëve të zakonshme, askush nuk guxonte të hynte në temë, edhe pse prisnin një “moment psikologjik” të përshtatshëm për t’ia nisur disi. Kur e pa se djemtë ngurronin dhe nuk po merrnin guximin të flisnin, plaku u krijon një situatë alegorike me një paravoli tipike shtendosëse.

“Nji shoqi em luracak, or djem, kishte mbetë midis katër rrugëve – dhe as andej, as këndej. Kryq mes katër rrugëve, ai ia kishte qepë sytë nji peme të naltë ku rreth e rrotull asaj peme sorralleteshin e vinin vërdallë lukuni qensh mbas nji buçe. Kaloj në mëngjes – ai aty. Edhe në drekë – ai aty. Bie n’ara mbasdite, ai aty se aty. Po kur ktheva në mbramje dhe prapë e gjeta aty, i zdrypa kalit dhe e pyeta:
- Bibë or lum majku, çka t’ka gjetë?
- Hall i madh or mek. S’di kah me ia mbajtë!
- Çfarë halli, mor majk?
- Paj, me hy mrenda, nuk m’le Prenda. Me hyp n’pemë, më merren mendtë. Me zdryp poshtë, m’hanë qentë... kështu puna.
Pas qeshjes me analogjinë groteske, ishte krijuar një farë pakti i përshtatshëm që garantonte zhvillimin e bisedës.

Vetë natyra e alegorisë dibrane është një stimuluese aktive për të hyrë në dialog dhe, në dialog e sipër gjithçka e gjen një zgjidhje, pasi vetëm dialogu dhe pjesëmarrja në të, krijon kushtet për përplasjen e mendësive, mentaliteteve, paragjykimeve e kqekuptimeve të ndryshme dhe se vetëm nëpërmjet shtjellës së këtij kuvendimi aktiv, mund të kapërcehen pozicionet fiktive. Si një faktor tepër cilësor i emancipimit të ndërsjelltë komunikativ, kjo formë kuvendimi është një relikte e mbijetuar, të cilën jo vetëm nuk e ka fozilizuar koha, por mund të zbatohet me mjaft kërshëri ndjellëse, për vetë natyrën e përfshirjes në lojë. “Homo Ludens” e filozofit holandez Johan Huizinke, presupozon përfshirjen e njeriut në lojëra konstruktesh logjike dhe, duke përsosur inteligjencën e tij në lojë e sipër, të fitojë përveç zbavitjes edhe një dimension krijues, estetik dhe edukativ. Pikërisht në këtë kuptim, kuvendimi alegorik dibran është një ornament delikat dhe kërkon një qasje, përfshirje dhe receptim të kujdesshëm, si çdo art i dobishëm human, i cili i zgjidh tragjeditë “pa gjak” nëpërmjet terapisë së ligjërimit bisedimor.

No comments:

Post a Comment