Search This Blog

Saturday, July 24, 2010

Traditat dhe zakonet

Dasma dibrane: Një kod i përpiktë, nga batutat e deri te gjobat dhe roli i dajove

Pas katër orësh udhëtimi përtej maleve, që nga Kukësi, më në fund mbërritëm në qytetin e Dibrës (Peshkopi), ku pa humbur kohë, duke pyetur e duke kërkuar, takuam disa nga burrat e moshuar të qytetit, të cilët pranuan të na rrëfenin mbi ritualet e kësaj treve. Dasma, lindja e vdekja edhe në këtë krahinë të Shqipërisë, patjetër që ka veçantitë e tyre, rritet dhe zakonet e shumta, që sigurisht nuk pretendojmë t'i zbulojmë sot deri tek e fundit... Ashtu si në ditët e sotme, ku para kurorëzimit vajza dhe djali pyeten nëse do ta duan njëri-tjetrin “në të mirë e në të keqe”, “në hidhërim e gëzime”, për t'u betuar më pas para Zotit, edhe në atë kohë, në Dibër, para imamit apo shehut, çiftit i bëhej e njëjta pyetje; 73-vjeçari dibran, Bajram Çenga tregon për “Shekullin” se “atëherë firmosej edhe në letër, pra me ligj kjo gjë, ashtu siç unë e kam bërë para 50-vjetësh...”. Përsa i përket pajës së nuses, për dibranët ajo nuk ka qenë tepër e rëndë; “Dy ose tri veshje komplet për nusen, ishin të detyrueshme në çdo rast. Por, kërkesat nga ana e shtëpisë së dhëndrit mund të shkonin deri në 7 apo 8 palë veshje, gjë që në atë kohë e rëndonte tepër familjen e nuses. Stolitë e nuses ishin napoleonat e varura në qafë e në veshje, si dhe monedhat e vjetra turke që shpoheshin dhe përdoreshin në vend të vathëve”,- thotë xha Bajrami. Dhuratat e para, shenja të fejesës, ishte shamia ose shalli për vajzën dhe riza për djalin. Më vonë piheshin kafet në të dyja shtëpitë dhe vendosej dita e martesës.

Krushqit marrin nusen

Gjithmonë, për të marrë nusen, krushqit e dhëndrit shkonin në numër tek. Do të ishin 7, 9, 13 ose 15 vetë, jo më tepër. Nga krushqit, tre prej tyre duhet të ishin shumë të përgatitur ose siç thotë populli “të rrahur me vaj e me uthull”. Njëri prej tyre nevojitej të ishte shumë i mençur e me përvojë të madhe, tjetri duhej të ishte me xhepat plot me pare, pasi “mund të gjobiteshin” nga krushqit e nuses. Ndërsa i treti kryesor i krushqve të dhëndrit, duhej të zgjidhej “trim e sypatrembur” në mënyrë që nëse teprohej me ngacmimet nga krushqit e nuses ose nga daja (që mund të kërkonte para shumë) ai të vepronte duke iu kërcënuar atyre. Të gjithë këta krushq që shkonin për të marrë nusen, ishin burra. Nusja mbulohej me duvak dhe me flamurin kombëtar. Atë e shoqëronin vllezërit dhe nuni apo kumbari. As lodrat apo veglat e tjera muzikore që kishin, nuk binin derisa nusja futej në kufirin e fshatit të dhëndrit. Atje i prisnin në hyrje të fshatit të gjithë me gëzim, lodra e këngë. Në raste të rralla, ndodhin edhe ngatërresa, sidomos kur takoheshin dy palë krushq. Në këto raste, njëra palë duhej të hapte rrugën dhe tjetra të kalonte, e duke mos lëshuar asnjëri fill, kanë ndodhur edhe vrasje. Madje, këtu në fshatin Shuman, gjendet një episod i habitshëm natyror me 22 gurë përballë njëri-tjetrit (11 në secilën anë) dhe një gur të 23-të të veçuar. Për 11 gurët e anës së majtë, të gdhendur nga natyra, njerëzit thonë se janë krushqit e gurëzuar, ndërsa në anën matanë ndodhet një gur i përkulur, për të cilin thonë se është nusja. E çuditshme është, se dhe në krahun tjetër janë 11 gurë. Tregojnë, se dikur ndodhi që dy karvane me krushq, një në ardhje e një në kthim, u vunë përballë në rrugën e ngushtë. Asnjë nuk i hapi rrugë tjetërit dhe u... vranë, e u gurosën... por këto lloj ngatërresash kanë qenë të rralla në Dibër dhe legjendat e moçme tregohen me të qeshur...

Pazari i dajave për nusen

Sigurisht, që nuk mund të harronim në këtë shkrim, episodin e pazarit të dajos së nuses me dajon e dhëndrit dhe krushqit e tjerë...
Një tjetër dibran i hershëm, madje i njohur dhe respektuar në gjithë zonën, siç ishte Ahmet Eqeremi, zbulon për ne një nga momentet më interesante të dasmës dibrane;
Përballja mes dy dajave, loja e zgjuarsisë, këmbimet e batutave dhe një alegori e retorikë e mrekullueshme gjallonte në të tilla raste, e ndoshta dhe sot, por e reduktuar në ndjeshëm, deri në zhdukje të këtij zakoni.
“Atje kishte një ndeshje mendimesh, intelekti dhe shpeshherë shoqërohej me një garë për trimëri e pasuri...”,- thotë Eqeremi. “Në muhabet e sipër, fillonte daja i vajzës që kishte të drejtat e veta; Ai do të pyetej për vajzën, por edhe do të kërkonte. Daja i nuses e niste duke kërkuar një sasi të madhe lekësh. Pastaj fillonin shokët e vet, “Jo, jo se i kemi miq! I kemi të dashtun. Prandaj ule këtë vlerë...”. Më tej, dilte një shok tjetër i dajos së nuses dhe thoshte: “Prapë shumë e ke, ne do çojmë vajzën nuse aty, ndaj ule edhe pak”. Më në fund, arrinte që daja i dhëndrit jepte shumë pak, ndonjë peshqesh për atë që bënte kafen, ndonjë dhuratë tjetër për nusen dhe një bakshish të vogël për derën. Shumë pak ishin ata që nuk të falnin. Nuk ishte dëshirë e dibranit për të ngacmuar mikun. Shumë rrallë, miqtë dilnin të pakënaqur nga dhomat. Në këto momente shpalosej urtia e krushqve mes batutave dhe frazave shumë të matura që këmbenin me njëri-tjetrin, duke dashur të ulnin çmimin që daja i dhëndrit duhet t'i paguante dajos së nuses. Shprehjet përdoreshin tepër alegorike dhe nuk ishin asnjëherë direkte: “Shqiponja ishte njëherë lart, por tani o ul në një kep...”,- që do të thotë se kanë qenë kohëra më të mira, por tani daja i dhëndrit është keq ekonomikisht. Më tej, oratoria vazhdonte me shprehje të tjera: “Rrasa atje në një arë, por miqtë e mi nuk më rregullojnë groshët...”. Kur daja kërkonte lekë mund t'ja niste “shtëpia është t'u më ra...”. Ndërkaq hidhej një nga krushqit për ta zbutur dajën: “Vërtetë është shtëpia duke të ra, por na ke ne, të ndihmojm na!”. Pastaj daja e kthente: “Më ndihmoni ju, por jeni larg”, ndërkaq dikush tjetër mund t'ja kthente dajës, “me burrat tanë bëhemi shumë, nja 1000 plita t'i pres unë...”. Por, ka pasur edhe raste kur krushqit nuk janë marrë vesh dhe daja i nuses ka kërkuar shumë lekë, aq sa krushqit e dhëndrit kanë mbetur pa nuse dhe janë detyruar të vijnë më pas, e ta marrin me forcë vajzën...

Nusja shikohej nga unaza

Para se nusja të hynte në shtëpi, dhëndri zinte një vend “strategjik” nga ku mund të shikonte gruan e tij të ardhshme. Ndërkaq, dhëndri nxirrte unazën dhe e vinte në sy në mënyrë që ta shikonte nusen për herë të parë nëpërmjet saj. “Unë vetë e kam parë nusen ditën e dasmës që brenda unazës”, tregon Mendu Lusha. “Më parë ne nuk kishim bërë takime dhe aty unë e pashë gruan me duvak, për herë të parë, nëpërmjet unazës së florinit”. Pastaj, nusja ndalej te porta e shtëpisë dhe në dy krahët i futeshin bukët, pastaj kungujt. Teksa hynte brenda nusja, i hidhnin edhe një gjel mbi kokë. “Me një hatllagi (shkopi që hapen petët e byrekut) hoxha i ngre pastaj duvakun nuses.

Rritet kur hyn nusja tek dhëndri

Më tej, nusja hynte në shtëpinë e dhëndrit ku bëhej dasma me aheng të madh. Tri ishin veglat kryesore të muzikës; Çiftelia, lodra dhe cula (vegël e ngjashme me gërnetën), ndërsa shumë më vonë u fut edhe violina. Ndërkaq, dilte dhëndri dhe qëllonte tri herë në një kodër me pushkë. Kuptimi ishte i disafishtë; Dhëndri është gjallë, por edhe që tani nusja dhe krushqit janë në mbrojtjen e tij. Nusja atë ditë vetëm rrinte e heshtur. Hedhja e orizit, grurit dhe vënia e bukëve në duart e nuses, nuk ishin fenomene fort të dukshme por megjithatë kryheshin. Nuses i vihet edhe raki që ta derdhë me këmbë, e cila është për të hequr të keqen bashkë me rakinë, e cila konsiderohet si një e keqe më vete. Bashkë me rakinë derdhet edhe një gotë e ujë, për të hequr syrin e keq dhe për t'i sjellë çiftit fat të mbarë. Por, derdhja e rakisë atje ku shkelte nusja, bëhej edhe për ta ruajtur nusen që të “mos ta zinte magjia”.

Nata e parë e dhëndrit me nusen

Atë darkë, kur nusja për herë të parë mbyllej pas darkës me dhëndrin brenda në dhomë, shokët e dhëndrit nga jashtë dhe në oborr, këndonin këngë ngacmuese duke e vënë në lojë dhëndrin e ri. Ata qeshnin me dhëndrin e hidhnin valle. Dibrani Mendu Lusha, teksa bisedon me ne, kujton disa vargje që ja kanë kënduar atij vetë gjatë martesës: “Pjergull o, moj pjergull o, i lë vetë beqarët në livadh, duke kullotur gomarët...”. Shokët ngacmonin me lloj lloj batutash: “Dhëndër, mos e fal nusen për sonte...”. Por duhet pasur parasysh se të gjitha këto batuta këmbeheshin dhe thuheshin nga njerëzit e afërt, pra brenda gjakut, pasi në dasma nuk thërriteshin shokët e punës apo njerëzit që nuk ishin në fis. Teksa është ngjitur lart nëpër shkallë, për të shkuar i lumtur në natën e parë të tij me nusen, ai tregon se të gjithë tentonin ta gjuanin kush më lehtë e kush më fort. “Na këndonin te dera dhe pas 20 minutash futeshin nuset e dajës, daja dhe të afërm të tjerë dhe së bashku hanim petullat”. Me ngrënien e petullave, ia niste nusja e pastaj dhëndri e më pas të gjithë të tjerët që i rrethonin. Pas kësaj, të afërmit ngriheshin dhe i linin vetëm nusen me dhëndrin. Të nesërmen në mëngjes, ajo që duhej të zgjohej e para e shtëpisë dhe të dilje përjashta ishte nusja e re. Duke mbajtur përdore një djalosh 5-6 vjeçar, nusja shkonte tek çezma e fshatit apo qytetit dhe mbushte ujë. Të paktën kështu ka qenë kjo traditë, deri vonë në Dibër...

Më tepër se një grua?

Eqeremi, i njohur tepër brenda dhe jashtë sektit mysliman të zonës, tregon se “martesa me shumë gra në fenë myslimane është e ndaluar kategorikisht. Por, ka një përjashtim; Në rast se gruaja e parë vdes, ke të drejtë të martohesh me të dytën, ose nëse gruaja e parë ka lindur 5 fëmijë dhe nuk është në gjendje t'ju shërbejë siç duhet, atëherë burrit i lind e drejta për të marrë një grua të dytë. Gjithmonë, kur merret pëlqimi edhe nga gruaja e parë. Një kusht i vendosur nga feja islame për burrin, është që ai duhet të kujdeset në mënyrë të veçantë për të dyja gratë. Nëse i ble njërës një rrobë, duhet të bëjë të njëjtën gjë edhe me tjetrën. Nëse i rregullon njërës një dhomë, duhet ta bëjë këtë gjë edhe për nusen tjetër. Pra, duhet t'i trajtojë gratë në mënyrë sa më të barabartë”.

No comments:

Post a Comment