Search This Blog

Saturday, July 24, 2010

SHQIPTARET ORTODOKS


Ku janë shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë?
Nga prof.dr.
Uran Asllani

Deri në shpalljen e Pavarësisë Kombëtare, trevat të banuara me shqiptarë ishin brenda juridiksionit të katër vilajeteve. Ato ishin: Vilajeti i Kosovës me katër sanxhakë (prefektura), Prishtina; Jenipazari, Shkupi dhe Peja, që banoheshin dhe banohen nga shqiptarë të besimit mysliman dhe katolik; Vilajeti i Manastirit me katër sanxhakë: Manastirin, Dibrën, Korçën dhe Kolonjën, që banohej dhe banohet nga shqiptarë të besimit mysliman e ortodoks; Vilajeti i Shkodrës me dy sanxhakë, atë Shkodrës dhe atë të Durrësit, që banohej dhe banohet nga shqiptarë të besimit mysliman, katolikë dhe pakicë ortodokse dhe së fundi Vilajeti i Janinës, me pesë sanxhakë: Janina; Gjirokastër; Berati, Leskoviku; Preveza, që banohej nga myslimanë dhe ortodoksë shqiptarë.

Lidhur me objektin e shkrimit do të përqendrohemi në përbërjen demografike të Vilajetit të Manastirit. Në këtë vilajet bënin pjesë dy sanxhakët, ai i Korçës dhe ai i Kolonjës, përbërjen demografike të popullsinë të këtyre prefekturave, ne shqiptarët e Shqipërisë i njohim mirë, ajo është myslimane dhe ortodokse.

Përbërja e popullsisë shqiptare të dy sanxhakëve të tjerë është ende e panjohur dhe veçanërisht në atë sanxhak që gjendet në kufirin administrativ-shtetëror, në sanxhakun (prefekturën) e Dibrës.

Asokohe sanxhaku i Dibrës përfshinte pesë kaza, të cilat ishin: Dibra e epërme; Dibra e poshtme; Reka; Elbasani dhe Mati. Dihet se në Elbasan ka myslimanë dhe ortodoksë dhe se në Mat ka vetëm myslimanë, por deri tani nuk kemi ditur se edhe në sanxhakun e Dibrës paska pasur, përveç myslimanëve dhe ortodoksë shqiptarë.

Këtë fakt, personalisht, e kam marrë vesh nga hulumtimet që kam kryer në shtypin e hershëm të Rilindjes Kombëtare, me rastin e kërkimeve për jetën dhe veprimtarinë e Kristo Luarasit në Bullgari e Rumani.

Në sanxhakun e Dibrës, përveç Elbasanit dhe Matit janë të përfshira edhe kazatë e Dibrës së Sipërme, Dibrës së Poshtme si edhe kazaja e Rekës.

Sipas kësaj ndarje administrative fshatrat shqipfolëse të Rekës,përfshiheshin në kazanë e Rekës. Është interesant fakti që ky sanxhak nuk asnjë nahije (qyteza) në ndryshim me sanxhakët e tjerë tek të cilët numri i tyre arrin deri në 19, siç është rasti i sanxhakut të Shkodrës.

Siç duket atëherë, sikurse edhe sot aktualisht në ish-sanxhakun e Dibrës, në pjesën lindore brenda kufirit maqedonas, nuk ka ndonjë qendër të madhe banimi, por vetëm fshatra. Pothuaj që të gjithë këto fshatra janë të vendosura në shpatet e malit Korab dhe të maleve lidhur me të,si malet e Kabashit (2395 m), e Bradasit (2168m), të Lerit (2197m), Ostricës (1717m) dhe të malit Kus-Babait ( 2200m).

Nga këto shpate malesh të larta rrjedhin përrenj e lumenj të vegjël, që janë të gjitha degë të Lumit të Mavrovkës, si lumenjtë e Bukovinit, Radikës dhe ai që kalon pranë fshatit Nanushaj. Një pjesë tjetër janë degë të vetë Lumit Vardar siç janë lumenjtë: e Ellovjakës, të Rabçishkës dhe ai i Masdaçës.

Të gjithë fshatrat shqipfolëse të besimit ortodoks kanë qenë të vendosur brenda kësaj zone pothuaj që të gjithë pranë lumenjve dhe përrenjve e deri buzë Liqenit të Mavrovës. Shqiptarët ortodoksë të Rekës i kanë dhënë Rilindjes Kombëtare figura të rëndësishme, të cilët kanë lënë gjurmë me veprimtarinë e tyre.

Më aktivi me një biografi interesante ka qenë: Josif Jovan Bagëri, që kishte lindur në Nistrovë të Rekës, në vitin 1870, në një familje e shquar për atdhedashurinë e saj. Gjyshi Nikolla dhe babai i Josifit, Jovani kishin marrë pjesë aktive me armë në dorë në betejat e Lidhjes së Prizrenit.

Kushtet e vështira ekonomike dhe varfëria e familjes, e detyruan familjen Bagëri që në vitin 1885, të zhvendosej në Sofie. Atje Josifi i vogël filloi jetën e punës, si këpucar dhe vetarësimimin e tij, me ndihmën e atdhetarëve të shkolluar si Dhimitër Mole, Adham Shkaba, Pandeli Cilit etj.

Në vitin 1894, fill mbas Spiro Gajos edhe Josif Bagëri shkoi në Stamboll të takohej me vëllezerit Frashëri. Ai solli prej andej shumë libra, broshura e gazeta në gjuhën shqipe, të cilat i shpërndan falas.

Pikërisht në këto vite zë fill veprimtaria atdhetare e Josif Bagerit. Gazeta e Josif Bagërit qysh në fillimin e saj paraqiti synimin për të ngjallur dashurinë për atdhe e për popullin e vuajtur.

Gazeta ndahej falas në të gjithë kolonitë shqiptare në Bullgari e Rumani, madje deri në Egjipt. Ajo shpesh ishte ndaluar dhe konfiskuar nga qeveritarët osmanë, të cilët e konsideronin atë si “shumë të rrezikshme”, megjithatë ajo vazhdoi të botohej deri në tetor të vitit 1911.

Atdhetari i dytë, i shquar, që njihet me nofkën “Rekasi”, ka qenë Llazar A. Siljani. Ai kishte lindur në Dibër të madhe, më 1878, në një familje me prejardhje nga Krakornica. Kryesia e shoqërisë në vitin 1902 e ngarkoi Ll.Siljanin të përkthente nga shqipja në gjuhën bullgare veprën madhore te Sami H.Frashërit, “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të bëhet” të cilën ai e përfundoi dhe e botoi shumë shpejt.

Llazar Siljani deri në fund të jetës së tij, ashtu si edhe prof. Perikli Cili, punoi dhe përgatiti pa përtuar studime për historinë e popullit të tij.

Si këta atdhetarë, por jo kaq të shquar, gjatë Rilindjes Kombëtare, në fshatrat e Rekës së Epërme, ka pasur me dhjetëra. Ata për qindra vite gjatë pushtimit osman dhe me qindra vite presion shpirtëror me dhunë nga Patrikana greke e Stambollit, mbeten shqiptarë të vërtetë. Po sot, në ditët tona çka ndodhur dhe po ndodh me këta shqiptarë ? Ku janë ata ?

Me sa njohim historinë politike të viteve të fundit të shqiptarëve të Maqedonisë, nuk kemi dëgjuar ose parë në veprimtarët shqiptarë emrin e ndonjë shqiptari ortodoks.


Ku janë vallë ata? Pse kanë harruar që janë shqiptarë?

Ndër këtë përshtypje të keqe, u habita kur u ndesha me punimet etnografike, folklorike të studiuesve shqiptare të ish-Jugosllavisë: Anton Berishës; Isak Kasumit, Shefqet Pllanës, Fadil Sulejmanit, Shpesa Tudës dhe në dekadën e fundit Edipe Selimi-Osmanit.

Ata qysh në vitet e dhunës sllave, në 1955 e më pas në vitet 1976, 1978, 1982, 1988 e deri në 1997 tregojnë për ekzistencën e zakoneve, traditës, folklorit shqiptar në të gjithë fshatrat e Rekës së Epërme. Këto tradita e zakone janë të njëllojta jo me ato sllavomaqedone, por me ato shqiptare që aktualisht ndeshen në fshatrat shqiptare duke filluar nga Kosova myslimane e katolike, nëpër të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, si në fshatrat katolike, po ashtu edhe në ato ortodokse, madje në shumë raste dhe në ato myslimane.

Edipe Selimi –Osmani tregon se: “nata e Buzmit” që kremtohet nëpër tërë trevat aktuale shqiptare, në Rekën e Epërme, si një rit ritual popullor, kryhet në 6 janar dhe quhet “benik”. Sipas këtij riti një dru ahu i prerë posaçërisht në pyll digjet ceremonialisht duke i vënë sipër oxhakut një plor, për të “mënjanuar” dëmtimin e farës së grurit nga ngricat.

Këto fshatra si edhe ato të Shqipërisë, myslimane apo të krishtere festojnë Shën Dhimitrin, në 24-26 tetor, madje ky i shenjtë na ishte shenjtori mbrojtës i fshatrave Nistrovë dhe Voklovia, ndërsa Shën Eremia, si edhe në Shqipëri, festohej në 14 maj, duke bekuar farët bishtajore dhe duke bërë zhurmë të madhe për të trembeshin dhe larguar urithet dhe gjarpërinjtë.

Në këto fshatra, sipas E. Selimi-Osmanit, ashtu si edhe në fshatrat e Shqipërisë veriore dhe jugore, në 4 dhjetor, festohet Shën Barbara, ndërsa më 9 dhjetor, në Kiçnicë kremtohet Shën Gjergji i dimrit dhe më 23 prill Shën Gjergji i zakontë.

Ajo autore nënvizon faktin se në fshatin Bibaj kremtohet dita e Shën Marisë së dimrit, ndërsa në fshatin Sencë, më 21 shtator festohet Shën Maria e vogël, të njëllojta me kremtimet që bëhen në Shqipëri në ditën e “paraqitjen e Virgjëreshës.

Të tilla festa zakonore apo fetare që kremtohen në Rekën e Epërme ka dhe shumë të tjera , si p.sh. Shën Mëhillin e të tjerë, që kremtohen njëlloj, duke filluar nga Kalabria, Shqipëria dhe Kosova, ne viset ku banojnë shqiptarë.

Siç shihet kjo krahinë i ka ruajtur me fanatizëm të gjitha ritet , traditën, folklorin e zakonet shqiptare. Ndaj është e pa shpjegueshme fakti që nga këta shqiptarë nuk shohim në radhët e partive politike shqiptare në Maqedoni.

E kanë “ harruar” vallë që janë shqiptarë? Ndofta edhe nga neglizhenca e të dy palëve ose dhe më keq nga indiferentizmi reciprok. Natyrisht kjo dukuri është për të ardhur shumë keq.

1 comment:

  1. Fai per mosdeklarimin e tyre si Shqiptar e ndajm te gjith ne, edhe te parit tane. Shqiptaret Ortodoks nuk kan jetuar vec ne Reken e eperme dhe te poshteme, as vetem ne Diber. Ata kan jetuiar dhe jetojne dhe sot edhe ne Manastir me rrethine, si ne shum fshatra, sic eshte njeri nder ato dhe fshati Oreove. Ne varezat te Krishtere jane deshmite. Atje do i gjejsh te gjith mbiemrat shqiptare si Bojaxhiu, Kazanxhiu,Preshi, Cilka, Janaci, dhe shum te tjere. Pushtimi 550 vjecare i Perandorise Otomane la gjurme te shkatrrimit te nje kombi i cili kishte nje shtrirje shum te gjere ne ballkan. Ju lumte atyre qe hulumtojne. Dhe nuk mjafton kjo. Ka fshatra ne rrethin e Prilepit dhe krusheves qe shum vone e kan pranuar Muslimanizmin, dhe kan ruajtur akoma disa tipare te Ortodoksizmit, por dhe mbiemrat. Nuk mjaftojne studimet dhe shkencetaret merren me politik dhe nuk dalin ne terren qe ti gjejne argumentet.

    ReplyDelete