Search This Blog

Saturday, July 24, 2010

KRYENGRITJA DIBRANE E VITIT 1913

KRYENGRITJA SHQIPTARE E VJESHTËS SË VITIT 1913



Shkruan: Sheradin BERISHA



"Në Dibër , tabakhaneja, që ishte thertore bagëtish,u bë thertore njerëzish. Qytetit i vinte erë gjak njeriu, kudo mbretëronte pasiguria dhe një heshtje tmerri.” Haki Stërmilli

____________________________

Hyrje

Dhjetëvjeçari i dytë i shekullit XX padyshim se ishte ndër periudhat më të rënda që kaloi populli shqiptar gjatë historisë së tij. Dihet mirëfilli se Lufta e Parë Ballkanike(1912)solli ndryshime të mëdha në hapsirën gjeografike të Shqipërisë etnike, sepse shtetet fqinje: Serbia, Mali i Zi, Bullgaria dhe Greqia, që përbënin”aleancën ballkanike”, pushtuan mëse gjysmën e territoreve etnike shqiptare. Këto shtete ortodokse, duke u bazuar në vendimet e padrejta të Konferencës së Londrës, në dëmë të Shqipërisë, përfituan këto territore:

a) Serbia nga kjo luftë pushtoi 19 000 km�(Kosovë e Maqedoni), duke u zgjeruar në 82% territor, me një popullsi prej afro një milion shqiptarësh që përbëjnë rreth 55% të saj; b)Mali i Zi pushtoi 62% territor, ku jetonin 190 mijë shqiptar, gati po aq sa kishte vet shteti malazez; c)Bullgaria pushtoi 29% territor me rreth 3% popullsi shqiptare; d)Greqia pushtoi 68 % të Çamërisë ku jetonin 67 % popullsi shqiptare.

Krijimi i hartave të reja shtetërore në Ballkan, për shqiptarët ishte i papranueshëm, prandaj edhe qenë të detyruar që të mos e ndalojnë luftën, për çlirimin e Kosovës me viset tjera shqiptare dhe bashkimin e tyre me Shqipërinë londineze. Pas përfundimit të luftës së parë ballkanike, drejtuesit e kryengritjes Shqiptare: Bajram Curri, Isa Boletini, Sadik Ramë-Gjurgjeviku, Elez Isufi, Sali Hoxha e shumë prijës të tjerë u detyruan të tërhiqen në Shqipëri dhe qysh në muajt shkurt-mars të vitit 1913, filluan përgaditjet për një kryengritje të re kundër pushtuesve serbo-malazez.

Qeveria serbe, ndonëse përmes bashkëpunëtorëve të vet, të sojit të Esat Pashë Toptanit, Arif Hiqmetit etj, përcillte këmba-këmbës çdo lëvizje të krerëve shqiptar, ajo me kohë përforcoi zonën kufitare. Në të vërtet trupat ushtarake serbe, as që ishin tërhequr në vijën kufitare të përcaktuar nga Konferenca e Londrës. Përkundrazi, brenda teritorit shqiptar, në mënyrë arbitrare kishte vendosur të ashtuquajturën”vijë strategjike”, në të cilën ngritën posta doganore, si:në Kukës, aty ku bashkohen Drini i Zi me Drinin e Bardhë, në Okushtan-Çermenik, në rrugën Elbasan-Dibër, në Qafë të Murit-në perëndim të Drinit të Zi përballë Dibrës dhe në Pogradec, për të siguruar kinse mbrojtjen nga sulmet e shqiptarëve.1 Qysh në fillim të vitit 1913, kur regjimi serb instaloi një administratë ushtarake në Kosovë e në treva tjera të pushtuara shqiptare, gjendja e popullatës shqiptare u përkeqësua në të gjitha segmentet e jetës.Shqiptarët jetonin në mjerim të thellë, vuanin për buk dhe gjësende tjera ushqimore. Gjithashtu ndaj shqiptarëve bëheshin ndjekje, persekutime e vrasje të pafajshme. Ndaj tyre pa farë hetimesh e as gjyqesh bëhej ekzekutimi i dënimit me vdekje, ndërkohë që as s´mund të flitet për të drejtat tjera më elementare njerëzore.

Më 16 gusht 1913 Isa Boletini nga Malësia e Gjakovës, i shkruan një letër Ismail Qemalit dhe me shqetësim i flet për mjerimin dhe urinë që ka pllakosur malësorët e Gjakovës dhe kërkon ndihmën e Qeverisë së Vlorës. Në letër pos tjerash thuhet: ”...çdo skutë e Malësisë, gurë, shkëmb, gjithandej është mbushur plot me emigrantë të mjerë, të cilët kanë ardhur në gjendje jo të lypin, por të vdesin. Nuk ka zemër që duron përpara vajtimit të këtyre bijëve të atdheut...”2 Andaj duke mbretëruar kjo gjendje atje, natyrshëm që në pranverë të vitit 1913 u shtua numri i çetave shçiptare në Kosovë e gjetiu dhe filluan përgaditjet për një kryengritje çlirimtare. Një tabllo realiste të gjendjes së rëndë në tokat e pushtuara shqiptare, na jep edhe socialdemokrati serb D.Tucoviqi në librin”Serbia dhe Shqipëria”. Ai theksonte: ”Kryengritja shqiptare e shtatorit, për shkak të së cilës Serbia u shtërngua të mobilizonjë përsëri afro tre divizione, është një shembull klasik që tregon se si shkaktohen luftrat koloniale. Okupimi i ushtrisë serbe shtrihej prej lindjes e deri në dyert e grykave dhe të qafëmaleve shqiptare. Ky okupim e ndau bujkun prej arës, bagëtinë prej kullosave, kopetë prej lugjeve, fshatin prej mullirit, blerësin e shitësin prej tregut, rrethinën prej qytetit, kurse tërë popullsinë malore prej qendrave ekonomike dhe drithoreve të saj. Shqiptari i andejshëm(i Shqipërisë londineze-Sh.B) nuk guxonte të shkelte më në tokën e tij që i kishte mbetë në këtë anë(në Kosovën e pushtuar-Sh.B). Të gjitha burimet e jetës iu prenë. Populli i dëshpruar dhe i uritur pa masë, së pari u lut të vijë lirisht në tregje. Por, kur iu ndalua edhe kjo, ndërmjet vdekjes nga uria dhe vdekjes nga plumbi, ai zgjodhi këtë të dytën(plumbin-Sh.B).3

Me qëllim të koordinimit të veprimtarisë çlirimtare, krerët e krahinave të pushtuara do të mbajnë kontakte edhe me Ismail Qemalin. Sipas një njoftimi të botuar në gazetën”Përlindja e Shqipnisë”, më 12 gusht 1913, Elez Isufi-udhëheqës i shquar i Dibrës, Ramadan Zaskoci nga Luma e Rexhep Bajraktari nga Hasi me shpurat e tyre, shkuan në Vlorë dhe u takuan e biseduan me kryetarin e Qeverisë së Përkohshme Ismail Qemalin,”...mbi gjendjen në malësi që përfaqësonin dhe mbi masat që duheshin marrë për të sunduar ato vise...sipas interesit të Shqipërisë. Tani të nderuar bajraktarë, thuhej në atë njoftim, -presin të ikurit e ushtrisë serbe prej atyre viseve që të mund të venë në vendin e tyre e të zgjerojnë kësisojë fushën e qeverisë...”Ismail Qemaili në emër të Qeverisë, në këtë takim, edhepse nuk kishte fuqi ushtarake e mjete financiare, u premtoi krerëve të Lumës, Dibrës e Hasit ndihmë për t´u çliruar nga pushtimi serb, por edhe i udhëzoi që, me t´u kthyer në krahinat e tyre, të organizonin kryengritjen kundër pushtuesve serb.4 Në fund të gushtit 1913 edhe Bajram Curri, Isa Boletini e Hasan Prishtina u ndodhën në Vlorë, ndërkohë që ky i fundit(në shtator) pranoi detyrën e ministrit në qeverinë e Vlorës.5

Si u zhvillua kryengritja e Dibrës?

Një rol të veçantë në organizimin e kryengritjes shqiptare luajtën Elez Isufi, Ramadan Zaskoci, Qazim Lika etj, të cilët gjatë verës 1913 e deri në gjysmën e parë të shtatorit u morën në mënyrë intenzive me përgaditjen e saj, ndërkohë që ky aktivitet ra shpejt në sy të pushtetit serb. Kështu, komandanti i garnizonit të Oroshit, kapiteni Vukotiq në mesin e qershorit 1913, i dërgonte një raport majorit Leovac në Lumë(në Vasije), me të cilin e njoftonte se ishte vënë në lidhje me disa mercenarë shqiptarë, të cilët mund të eliminonin këta krerë të rrezikshëm. Komanda serbe në Lumë, më 26 qershor 1913, për këtë informacion, vuri në dijeni komandën supreme në Kosovë, duke theksuar se:”Ndërprerja e veprimtarisë dhe e ndikimit të këtyre krerëve kishte rëndësi për pushtetin serb, jo vetëm për këto kohë të vështira, por edhe për të ardhmen”. Ndonëse, majori Leovac kishte kërkuar që për kokat e këtyre krerëve dhe shumë të tjerëve, të paguheshin nga 1000-1200 dinarë, në një përgjigje të nënshkruar më 8 korrik, nga Nikolla Pashiqi, ndër të tjera thuhet: ”Meqë njerëzit e përmendur janë të njohur si kriminelë...ndaj tyre duhet vepruar sipas ligjit. Në qoftë se duhen para, ato të merren nga kreditet ushtarake”.6



Elez Isufi

Gjithashtu më 24 gusht 1913, inspektori i policisë së Shkupit njoftonte komandën supreme serbe se Elez Isufi...gjendej në Dardhë dhe i ftonte shqiptarët për kryengritje. Prandaj propozonte shkatërrimin e fshatrave Reç, Dardhë, Kalis, prej nga vepronin të gjitha grupet e armatosura në Dibër e gjetiu. Së këndejmi, ai kërkonte që aradha e sigurimit në Zhirovnicë të përforcohej edhe me një çetë 7 për të eliminuar krerët shqiptarë.

Në historiografinë shqiptare deri më sot është thënë se kryengritja shqiptare e vitit 1913 ka filluar më 20 shtator në Dibër, ndërkohë që sipas një raporti të Kryetarit të Çarkut(naçallnikut) të Dibrës N.Çirkoviq, dërguar më 8 tetor 1913 Qeverisë serbe në Beograd, saktësohet se kryengritja ka filluar në fillim të shtatorit 1913.

T´i referohemi këtij raporti.

Naçallniku i Dibrës N.Çirkoviq në raportin e tij të gjatë, thotë se:”Më 1 shtator 1913, shqiptarët kishin filluar për t´i nxitur pararojet tona afër Pogradecit. Më 3 shtator në mes të pozitave dhe të fshatit Rinakaj, shqiptarët sulmuan patrullën serbe dhe me atë rast një ushtarë e varën dhe një e plagosën. Për këtë është lajmaruar inspektori në Shkup. Më 4 shtator është dhënë urdhëresa që të lëshohen pozitat e largëta dhe ushtria të tërhiqet afër kufirit të paraparë me Konferencën e Londrës. Më 5 shtator u bë proklamata e aneksimit të Dibrës...Më 7 shtator, një njësi e fortë shqiptare e kishte sulmuar pararojën serbe te ura e Arasit. Ajo e shpërndau atë dhe kishte kaluar në anën e djathtë të Lumit Dri(për këtë e kam lajmëruar inspektorin në Shkup). Më 8 shtator, shqiptarët me forca të mëdha e sulmuan Peshkopinë dhe atë sulm e morën në orën 6 të mëngjesit. Naçallniku i rrethit vërteton se në luftime ishin rreth 1200 shqiptarë... Prej Peshkopisë shqiptarët kryengritës janë orientuar në dy drejtime:njëri kah Dibra, ndërsa orientimi tjetër kah Zherovnica. Naçallniku i rrethit në ato rethana lajmëron se ai sulm ishte i tillë sa që ai s´ka mundur as teshat e veta për t´i veshur. Prandaj, në Peshkopi i ka mbetur e tërë arkiva me shifra... Njësia shqiptare që ka qenë në front kah Zherovnica aty-këtu i ka shkatërruar çetat tona(serbe), ndërsa në orën 8 në mbrëmje ishte në maje të Zherovnicës. Në Zherovnicë shqiptarët hyjnë në ora 9 të mëngjesit(e çliruan-Sh.B). Udhëheqësi i njësisë së tyre i drejtonte 300 veta. Me këto forca udhëhiqnin Maliq Kroqishta, ndërsa me 350 të tjerë udhëhiqte Alil Kaloshi prej Dibrës së Poshtme. Njësia tjetër që e ndiqte ushtrinë tonë në drejtim të Dibrës më 9 shtator 1913, në mëngjes ishte nja 10 km. larg prej Dibrës(për këtë e kam lajmëruar inspektorin në Shkup). Sipas marrëveshjes së lidhur me komandantin e Regjimentit XIX në Dibër, Dibra nuk ka guxuar të lëshohet pa luftë, prandaj unë menjëherë i kam dhënë disa udhëzime që në qytet të sigurohet rendi dhe së bashku më nënpunës të lëshohet qyteti vetëm atëherë kur ushtria të tërhiqet... Rreth orës 10 e 30 minuta(më 9 shtator-Sh.B) lufta zhvillohet në qytet, asisoji që plumbat kishin filluar të bien edhe në zyrën e naçallnikut. Në orën 11 paradreke ushtria kishte filluar të tërhiqet...Në anën tjetër,qëtetarët shqiptarë na sulmonin, si prej dritareve, ashtu edhe prej dyerëve, ashtu që nuk kemi mundur as sytë t´i hapim prej zjarrit të pushkëve dhe me vështirësi të madhe e kemi shpëtuar kokën. Aq ka pasur plumba saqë me rastin e hypjes në kalë, një plumb e ka goditur mbrojtësin dhe ai ka vdekur në vend... saktësisht në ora 12 në mesditë Dibra kishte rënë në duart e shqiptarëve.”

Më tutje në raport thuhet: ”Sipas të dhënave në ballë të kryengritësve shqiptarë ishin udhëheqësit: Elez Isufi dhe Mersim Dema si komandantë të përgjithshëm. Ndërsa si udhëheqës më të ulët kishin qenë:Selman Alia, Alil Kaloshi, Haxhi Lani Kaloshi. Është biseduar edhe për ardhjen e Isa Boletinit në Dibër, por askush nuk din asgjë për të, fakt ky që flet se nuk ka ardhur fare. Lidhur me këtë posa shqiptarët kishin hërë në qytet, një pjesë kishte mbetur aty, ndërsa pjesa tjetër e ka vazhduar luftën kundër ushtrisë sonë.”8 Atë ditë kryengritësit shqiptarë të drejtuar nga Elez Isufi dhe prijësit tjerë popullor:Sefedin Pustina, Selman Alia, Haxhi Llani Kaloshi, Isuf Xhelili, Mersim Dema, Iljaz Hoxha, Haziz Lila, Elez Koçi, sheh Sula, Dan Cami etj, organizuan sulmin e mëtejshëm të ndarë në disa kolona si në drejtim të Strugës e Ohrit, të Mavrovës e Gostivarit. Dhe nga betejat e një pasnjëshme luftëtarët shqiptarë çliruan:Gostivarin, Tetovën, Strugën, Ohrin..., ndërsa forcat serbe u tërhoqën me shpejtësi duke lënë 1000 ushtarë të vrarë, 300 ushtarë u zunë rob si dhe u kapën 12 topa e materiale tjera të shumta lutarake.9



Kryengritësit e Dibrës...

Pas çlirimit të këtyre krahinave shqiptare, kryengritësit ngritën administratën në qytete e fshatra. Naçallniku N.Çirkoviq në raportin e tij, dërguar autoriteteve qeveritare në Beograd thekson, se:”Me të hyrë të kryengritësve në qytet(Dibër-Sh.B) beglerët e këtushëm menjëherë e formuan qeverinë:Sefejdin Pustina, Rizah Begu, dhe Sheh Latifi, ku për kryetar të asaj qeverie është zgjedhur:Sejfedin Pustina.” Z.Çirkoviq tregon edhe për mirësjelljen e kryengritësve shqiptarë ndaj ushtarëve serb, të plagosurve dhe të zënë robër. Ai shkruan:”Shqiptarët menjëherë e rregulluan telefonin në mes të Peshkopisë dhe Dibrës, e vëjnë në përdorim aparatin që nuk përdoret në ushtrinë tonë. Menjëherë e themeluan spitalin dhe filluan për t´i shëruar të plagosurit tanë(serbët). Shqiptarët ndaj të plagosurve dhe të zënëve robër janë sjellë me një korrektësi humane...”10, ndërkohë që krejtë ndryshe do të sillen ushtarët serbë me popullsinë e pambrojtur shqiptare, me gratë dhe fëmijët, që i therën me bajoneta dhe i dogjën të gjallë në zjarr!!

Shtrirja e kryengritjes në krahinën e Lumës të Opojës dhe atë të Vërrinit

Pas kthimit nga Vlora, Ramadan Zaskoci së bashku me Qazim Likën, Sali Spahiun, Hoxhë Mehmetin, Ramadan Çejkun, Bajram Gjanën, Osman Litën, Dervish Bajraktarin, Sulë Elezin e patriotë të tjerë, në fillim të shtatorit 1913 në një mbledhje të”Dheut”të mbajtur në Shtiqën 11 të Lumës, vendosën të mobilizojnë popullin e Lumës për luftë kundër pushtuesve serbë. Kuvende mobilizuese u mbajtën edhe në krahinat tjera shqiptare të pushtuara.

Ndonëse kryengritja shqiptare nisi në Dibër..., në gjysmën e dytë të shtatorit 1913 ajo u shtri edhe në drejtim të Kalasë së Dodës për të vazhduar me shpejtësi në Lumë, në Gorë, Opojë-Vërri,deri në Prizren dhe në krahinën e Hasit, të Krasniqes e të Gashit deri në Gjakovë. Në këtë kohë kryengritësit shqiptarë kryesisht ishin përqëndruar dhe luftonin në fshatrat e Kalasë së Dodës, në Rrafshin e Lumës dhe në fshatrat e Gorës..., sepse forcat më të mëdha serbe pikërisht në këto vende ishin të dislokuara më së shumti. Ndërkaq sipas të dhënave nga dokumentet serbe, luftimet më të përgjakshme u zhvilluan në Vasije, pastaj në Kalis ku u asgjësuan disa reparte serbe. Prej këtu, mbeturinat e reparteve serbe u tërhoqën drejt Ujmishtit, ndërsa shumë ushtarë të regjimenteve X, XI e braktisën Lumën dhe u tërhoqën në drejtim të Vranishtit, kryeqendrës së atëhershme të Gorës.12 Pas një përleshjeje të furishme, kryengritësit lumjanë morën garnizonin serbë në Ujmisht dhe këtu, bëhet ndarja e tyre në dy krahë-kolona.

-Krahu i djathtë, kolona e parë e përbërë nga malësorë të fshatrave të Lumës:Bushtricë, Kalis, Kala e Dodës, Radomirë, Çajë...nën udhëheqjen e Qazim Likës, Cen Dacit, Idriz Zholja, molla Tofikut etj, mori drejtimin: Buzmadhe-Topojanë-Gorë(Vranisht)-Opojë-Vërri-Prizren.

-Ndërkaq krahu i majtë, kolona e dytë nën udhëheqjen e Ramadan Zaskocit, Osman Litës, Ramadan Çejkut, Sali Spahisë, Mustafë bej Deshatit, Haxhi Nokës, Riza Matit e të tjerë, sulmuan forcat tjera të armikut në Bicaj, Nangë, Shtiqën, Gostil, kapin bregun e majtë të lumit”Luma” dhe përfundimisht ia mësynë Kullës së Lumës(ku takohen dy Drinat), si një qendër e rëndësishme e garnizonit ushtarak të armikut.13

Sipas një lajmi të botuar në gazetën e kohës”Atdheu”, ”më 16 shtator 1913, kryengritësit e pushtojnë qytetin Luma(Kullën e Lumës). Një luftë e rreptë u bë afër atij qyteti. U morën masa të shpejta që t´i arrijnë e t´i përzënë shqiptarët”14. Pas marrjes së Kullë Lumës, kryengritësit lumjanë u vunë në ndjekje të forcave serbe, të cilat morën rrugën në drejtim të Zhurit për të përfunduar në Prizren, duke kaluar në tërthoren përgjatë Drinit të Bardhë.

Derisa krahu i majtë(kolona e dytë)i kryengritësve, duke i ndjekur mbaturinat serbe mori nën kontroll të gjitha fshatrat e tërthorës Përbreg-Gjegjën-Bardhoc-Morinë-Vërmicë-Zhur dhe ndaluan në fshatin Poslisht të Vërrinit, kryengritësit e krahut të djathtë të frontit-(kolona e parë), me luftime të përgjakshme përparuan me sukses drejt Buzmadhes, Topojanit, Novosejt, Shishtavecit dhe kapin Zapodin, Vranishtin, Restelicën, Dragashin e hyjnë në Opojë. Betejat më të përgjakshme u zhvilluan në shpatet lindore të Pikllimës(Koritnik), në rrethet e Breznes(pranë Hanit të Llapushnikut) e deri në Zhur e Billushë të Vërrinit. Në këto fushëbeteja, kryengritësve lumjanë iu bashkuan edhe qindra goranë, opojarë e vërrinas nën komandën e atdhetarit Nail Hyseni-Dani, si dhe një pjesë e luftëtarëve të krahut të majtë(kolonës së dytë) në krye me Ramadan Çejkun, Kadri Shahinin, Rasim Selmanin të cilët u ngjitën kodrës së Zbinecit... Në betejën e përgjakshme të zhvilluar te Hani i Lapushnikut u plagos rëndë Qazim Lika dhe”atë nga vija e luftës e tërhoqën tre goranë të Brodit dhe e dërguan në Spitalin e Selanikut për shërim. Ndërkohë që në krye të forcave kryengritëse të këtij krahu mbeti Nail Hyseni-Dani nga Rapça, i cili luftoi trimërisht kundër forcave serbe”.15

Në luftimet e fund shtatorit dhe fillim tetorit 1913, në fushëbeteja ranë dëshmorë edhe 20 luftëtarë shqiptarë:Kadri Shahini, Mustafë Cuni, Bajram Maliqi, Tafuz Allaraj, Mehmet Shpata, Ramadan Allaraj, Sali Karanxha, Shaban Tahiqi, Qerim Krasniqi, Murat Murati, Dajlan Basha, Vehip Beqiri etj,16 ndërsa forcat e armikut patën mbi 30 ushtarë të vrarë dhe shumë të plagosur.17 Për këto luftime kanë shkruar edhe diplomatë të huaj. Kështu konsulli austro-hungarez njoftonte qeverinë e tij në Vjenë me tel. shifër nr.28, datë 29.09.1913 se ”shqiptarët nën udhëheqjen e Qazim Likës, pas luftimesh të gjata, i kanë thyer serbët në Kolesjan, Vasije e deri afër Bicajt... e sot kanë arritur në Prizren afërsisht 50 serbë të plagosur”.18 Pra, Kryengritësit shqiptarë në këto beteja pasi dolën trimfues, repartet e mbetura serbe duke u tërhequr për Prizren, ia mundësuan atyre që të përqëndrohen në vijën frontale: Vlashnje(ura e Vlashnjes) – Poslisht - Billushë-Hoqë e Qytetit – Jeshkovë – Lybeçevë – Lez - Sharr..., ashtu sikurse në vjeshtën e vitit 1912.

Zgjerimi i kryengritjes në Malësinë e Gjakovës

Kryengritja shqiptare në fund të shtatorit u zgjerua edhe në Malësi të Gjakovës dhe drejtues të saj ishin: Bajram Curri, Sali Hoxha, Isa Boletini, Hysni Curri, Bajram Daklani etj. Bajram Curri me krerët tjerë pasi kthehet nga Shkodra, duke e ndjerë gjendjen e mjerueshme të popullatës në Malësinë e Gjakovës, e cila nga represioni serbë kishte braktisur vatrat e tyre, bënë thirrje për të kapur armët kundër pushtuesve serbë.

No comments:

Post a Comment